Kushtet e përdorimit
Rregullat e regjistrimit, pagesës, anulimit dhe pjesëmarrjes në trajnimet dhe hapësirën e punës të cyphera.
1. Palët dhe fusha e zbatimit
Këto kushte rregullojnë marrëdhënien mes cyphera, me seli në Rr. Nexhip Dragaj 81, Mitrovicë 40000, Republika e Kosovës (më tej "akademia"), dhe:
- pjesëmarrësve në trajnimet për fëmijë dhe të rinj, të përfaqësuar nga prindi ose kujdestari ligjor;
- pjesëmarrësve madhorë në trajnimet profesionale;
- anëtarëve të hapësirës coworking.
Duke nënshkruar formularin e regjistrimit ose duke përdorur hapësirën, ju pranoni këto kushte. Versioni në fuqi është ai i publikuar në këtë faqe.
2. Regjistrimi dhe lidhja e marrëdhënies
Formulari në faqen e internetit është kërkesë për regjistrim, jo regjistrim përfundimtar. Plotësimi i tij nuk krijon asnjë detyrim dhe nuk kërkon asnjë pagesë. Pas dërgimit ju kontaktojmë brenda një dite pune për të konfirmuar grupin, nivelin dhe orarin; vetëm pas kësaj nënshkruhet formulari dhe nis pagesa.
- Regjistrimi konsiderohet i plotë pas nënshkrimit të formularit dhe pagesës së këstit të parë.
- Për personat nën 18 vjeç, regjistrimin e kryen prindi ose kujdestari ligjor, i cili merr përsipër detyrimet financiare.
- Vendi në grup rezervohet vetëm pas konfirmimit të pagesës; kërkesat trajtohen sipas radhës së arritjes.
- Grupet kanë maksimum dymbëdhjetë pjesëmarrës. Nëse grupi mbushet, ju ofrohet termini i radhës.
- Akademia rezervon të drejtën të mos hapë një grup nëse nuk plotësohet numri minimal; në këtë rast rimbursohet e gjithë shuma e paguar.
3. Testi i vendosjes
Para fillimit, pjesëmarrësi kalon një test të shkurtër vendosjeje. Rezultati përcakton nivelin e duhur dhe nuk përdoret për përjashtim. Nëse niveli i propozuar nuk pranohet, regjistrimi mund të tërhiqet pa asnjë detyrim.
4. Çmimet dhe pagesat
4.1 Trajnimet për fëmijë dhe të rinj
Çdo rrugëtim ka një çmim të vetëm mujor, të njëjtin qoftë për tre muaj, gjashtë ose nëntë. Ndryshon vetëm kohëzgjatja dhe numri i niveleve, jo çmimi për muaj.
- Fillo — 41.99 € në muaj
- Krijo — 43.99 € në muaj
- Lanso — 44.99 € në muaj
4.2 Trajnimet profesionale
- HTML dhe CSS me AI — 74.99 € në muaj, tre muaj (12 javë, 40 orë)
- JavaScript me AI — 74.99 € në muaj, tre muaj (12 javë, 40 orë)
- Front-End me React JS — 74.99 € në muaj, tre muaj (12 javë, 40 orë)
- Dizajn Vizual dhe Animacion — 79.99 € në muaj, dhjetë javë (36 orë)
- Dizajn Grafik dhe AI — 79.99 € në muaj, dhjetë javë (36 orë)
- AI në Praktikë — 99.99 € në muaj, tetë javë (28 orë)
4.3 Hapësira coworking
- Ditore 7.5 € · Javore 29.99 € · Mujore 89.99 € · Tavolinë e dedikuar 119.99 € në muaj
- Salla e takimeve — 30 € për dy orë, pavarësisht paketës.
4.4 Rregulla të përgjithshme
- Pagesa bëhet me këste mujore, brenda pesë ditëve të para të çdo muaji.
- Ekziston mundësia e parapagimit të plotë me zbritje 8–10%, sipas programit.
- Çmimi i rënë dakord nuk ndryshon gjatë gjithë periudhës së zgjedhur.
- Nuk ka tarifë regjistrimi.
- Materialet bazë dhe përdorimi i pajisjeve përfshihen në çmim.
- Printimi 3D mbi sasinë e përfshirë faturohet sipas materialit dhe kohës së makinës.
- Vonesa mbi 15 ditë mund të çojë në pezullim të pjesëmarrjes deri në rregullimin e pagesës.
5. Zbritjet
- Zbritje 8–10% për parapagim të plotë të programit.
- Zbritje 10% kur regjistrohen dy fëmijë njëkohësisht.
- Zbritje referimi 5% — për personin që referon dhe për atë që vjen.
- Zbritje për studentë dhe të papunë, për trajnimet profesionale, me dëshmi valide.
Zbritjet nuk kumulohen përveç nëse konfirmohet me shkrim.
6. Anulimi, ndërprerja dhe rimbursimi
- Ndërprerja e abonimit kërkon njoftim me shkrim 14 ditë përpara datës së këstit të radhës.
- Kësti i muajit në vazhdim nuk rimbursohet, por sesionet e mbetura mund të përdoren deri në fund të tij.
- Nëse akademia anulon një program, rimbursohet e gjithë shuma e papërdorur brenda 15 ditësh.
- Pezullim i përkohshëm për arsye shëndetësore mund të miratohet me kërkesë me shkrim, deri në një muaj.
7. Mungesat dhe zëvendësimet
- Sesionet e humbura nga pjesëmarrësi nuk rimbursohen dhe nuk barten.
- Materiali i sesionit i vihet në dispozicion pjesëmarrësit ose prindit.
- Ofrohet një sesion mbështetës për plotësimin e materialit të humbur.
- Sesionet e anuluara nga akademia zëvendësohen brenda së njëjtës periudhë ose kompensohen në kësti pasues.
- Në rrethana jashtë kontrollit — ndërprerje energjie, moti i rëndë, masa shëndetësore — sesioni riplanifikohet.
8. Siguria në laborator
Puna me pajisje kryhet sipas protokollit tonë të sigurisë:
- Pajisjet janë gjithmonë të shkyçura nga rryma gjatë punës praktike.
- Ushqyesi (PSU) nuk hapet asnjëherë, nga askush.
- Lidhjen përfundimtare me rrymë e bën vetëm instruktori.
- Në sesionet e hardware-it është i pranishëm një asistent i dytë.
- Printeri 3D përdoret vetëm nën mbikëqyrje.
Ndjekja e udhëzimeve të instruktorit është e detyrueshme. Mosrespektimi i rregullave të sigurisë mund të çojë në largim nga sesioni, pa rimbursim për atë sesion.
9. Kodi i sjelljes
Presim respekt të ndërsjellë. Nuk tolerohen:
- Ngacmimi, përjashtimi ose sjellja agresive ndaj pjesëmarrësve apo stafit.
- Dëmtimi i qëllimshëm i pajisjeve ose i ambientit.
- Qasja në përmbajtje të papërshtatshme në pajisjet e akademisë.
- Ndarja e fjalëkalimeve ose e llogarive të akademisë me të tretë.
- Regjistrimi i personave të tjerë pa pëlqimin e tyre.
Procedura: vërejtje verbale, pastaj njoftim me shkrim te prindi, dhe në raste të përsëritura ose të rënda, ndërprerje e pjesëmarrjes pa rimbursim të kohës së mbetur.
10. Pajisjet dhe përgjegjësia për dëmet
Pajisjet janë pronë e akademisë. Dëmtimi nga përdorimi normal ose nga defekti teknik mbulohet nga ne. Dëmtimi i qëllimshëm ose ai që rrjedh nga mosrespektimi i udhëzimeve mund t'i faturohet pjesëmarrësit ose prindit, sipas vlerës së riparimit.
11. Pronësia intelektuale
- Puna e krijuar nga pjesëmarrësi i takon pjesëmarrësit.
- Për punën e krijuar me ndihmën e mjeteve të AI-së vlen e njëjta gjë, por ju bëjmë të ditur se materiali i gjeneruar nga AI mund të mos gëzojë mbrojtje të plotë të së drejtës së autorit në disa juridiksione, dhe se kushtet e ofruesit të mjetit zbatohen paralelisht. Për përdorim tregtar, kontrolloni gjithmonë licencën e mjetit.
- Akademia mund ta shfaqë atë punë për qëllime promovuese vetëm me pëlqim të veçantë.
- Kurrikula, materialet mësimore, shabllonet dhe manualet janë pronë e akademisë dhe nuk mund të kopjohen apo rishpërndahen.
- Regjistrimi i sesioneve nga pjesëmarrësit nuk lejohet pa miratim me shkrim.
12. Përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale
- Përdoren vetëm llogari të akademisë, të mbikëqyrura nga instruktori.
- Për personat nën 18 vjeç kërkohet pëlqim me shkrim i prindit.
- Ndalohet futja e të dhënave personale në këto mjete.
- Në provimet praktike përdorimi i AI-së nuk lejohet.
- Kodi që pjesëmarrësi nuk e kupton nuk pranohet në projektin final.
13. Certifikimi
Certifikata e nivelit dhe certifikata e plotë e programit lëshohen kur plotësohen këto kritere:
- të paktën 80% pjesëmarrje në sesionet e periudhës;
- projekti final i dorëzuar dhe i prezantuar.
Përfundimi i të tri niveleve mbyllet me certifikatë të plotë. Letra e rekomandimit lëshohet vetëm sipas kritereve të komunikuara paraprakisht dhe nuk është e garantuar.
14. Rregullat e hapësirës coworking
- Hapësira është e disponueshme sipas orarit të punës: e hënë – e shtunë, 08:00–21:00.
- Anëtarët janë përgjegjës për pajisjet e tyre personale.
- Salla e takimeve rezervohet paraprakisht dhe faturohet 30 € për dy orë, pavarësisht paketës së abonimit.
- Zona e punës mbahet e qetë; thirrjet zhvillohen në zonat e caktuara.
- Qasja është personale dhe nuk transferohet te persona të tretë.
- Printimi bardh e zi dhe me ngjyra lejohet, me një numër faqesh të përfshirë sipas paketës; faqet mbi këtë kufi faturohen veçmas. Skanimi është pa kufizim.
- Prova e gjysmë ditës është falas dhe njëherëshe për person.
15. Kufizimi i përgjegjësisë
Akademia nuk mban përgjegjësi për sende personale të humbura ose të dëmtuara në ambientet e saj. Për personat nën 18 vjeç, përgjegjësia e akademisë fillon me hyrjen në ambient dhe përfundon me daljen nga sesioni. Prindi është përgjegjës për ardhjen dhe largimin e fëmijës.
16. Mbrojtja e të dhënave
Përpunimi i të dhënave personale bëhet sipas Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Detajet e plota gjenden te politika e privatësisë, e cila është pjesë përbërëse e këtyre kushteve.
17. Ndryshimet e kushteve
Këto kushte mund të përditësohen. Ndryshimet thelbësore ju njoftohen me email të paktën 30 ditë para se të hyjnë në fuqi. Nëse nuk i pranoni, keni të drejtë të ndërpritni marrëdhënien pa penalitet para hyrjes së tyre në fuqi.
18. Ligji i zbatueshëm dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Zbatohet legjislacioni i Republikës së Kosovës. Palët angazhohen ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje me marrëveshje brenda 30 ditësh. Në mungesë të saj, kompetente është gjykata themelore e vendit ku ndodhet selia e akademisë.
19. Kontakti
Për çdo pyetje lidhur me këto kushte: contact@cypheraks.com · +383 44 11 33 00 · Rr. Nexhip Dragaj 81, Mitrovicë 40000, Republika e Kosovës.